Secondary Adv

Koncesionet nën lupën e Financave, çdo ndryshim kontrate do të kalojë në vlerësim

Qeveria vendos rregulla të reja për koncesionet dhe PPP-të, duke forcuar kontrollin mbi kostot dhe rreziqet për buxhetin e shtetit.

Është publikuar në Fletore Zyrtare vendimi i fundit i qeverisë lidhur me rregullat e reja për vlerësimin, miratimin dhe dhënien e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik-privat (PPP), duke forcuar kontrollin mbi kostot, rreziqet fiskale dhe detyrimet që këto projekte mund të krijojnë për buxhetin e shtetit.


Një nga elementet kryesore është roli i Ministrisë së Financave, e cila duhet të vlerësojë ndikimin e projekteve në shpenzimet buxhetore, deficitin, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet e mundshme financiare që mund të lindin gjatë zbatimit të kontratave.


Rregullat e reja mbështeten në ligjin nr. 88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe synojnë që vendimmarrja për këto projekte të mbështetet në analiza ekonomike, financiare dhe të rrezikut.


Studimi i fizibilitetit, kusht për vlerësimin e projekteve


Sipas vendimit, përpara se një projekt të vijojë drejt procedurës së dhënies me koncesion ose PPP, autoriteti kontraktor duhet të vlerësojë nevojën për investimin dhe mënyrën më të përshtatshme të realizimit të tij.

Projektet mund të identifikohen përmes strategjive kombëtare, rajonale apo sektoriale, analizës së nevojave për infrastrukturë dhe shërbime publike, si dhe prioriteteve të politikave qeveritare.


Për shqyrtimin e tyre ngrihet një komision i posaçëm, i cili përgatit një raport paraprak mbi domosdoshmërinë dhe përshtatshmërinë e projektit. Studimi i fizibilitetit duhet të analizojë jo vetëm kostot dhe përfitimet e pritshme, por edhe qëndrueshmërinë ekonomike, ndikimin social dhe mjedisor, si dhe rreziqet që mund të shoqërojnë zbatimin. Një kërkesë e rëndësishme është krahasimi i modelit të koncesionit ose PPP-së me alternativën e prokurimit tradicional publik. Projekti duhet të justifikojë se realizimi përmes partneritetit me sektorin privat është më i dobishëm sesa alternativa tradicionale.


Kontroll më i fortë mbi rreziqet për buxhetin


Dokumentacioni që paraqitet për miratim në Ministrinë e Financave duhet të përfshijë projektkontratën, pasqyrën e fluksit të parasë dhe një analizë të detajuar të rreziqeve. Kjo analizë duhet të identifikojë probabilitetin e materializimit të rrezikut, periudhën kur ai mund të shfaqet, ndikimin financiar dhe shpërndarjen e kostove të mundshme ndër vite.


Gjithashtu, duhet të përcaktohet pala që mban përgjegjësinë për secilin rrezik, masat për kufizimin e tij dhe burimet e mundshme të financimit në rast se ai materializohet. Këto kërkesa synojnë të evidentojnë jo vetëm pagesat e drejtpërdrejta që shteti mund të marrë përsipër, por edhe detyrimet kontingjente, pra detyrime që mund të lindin në të ardhmen në varësi të zhvillimit të projektit.


Në këtë mënyrë, vlerësimi financiar nuk kufizohet te kostoja fillestare e investimit, por shtrihet edhe te ndikimi afatgjatë që kontrata mund të ketë mbi financat publike.


Ndryshimet e kontratave dhe transferimi te operatorë të tjerë kërkojnë miratim paraprak


Një nga dispozitat më të rëndësishme të vendimit lidhet me ndryshimin dhe transferimin e kontratave të koncesionit dhe PPP-ve.


Sipas nenit 40, çdo ndryshim ose transferim kontrate, i ndërmarrë në përputhje me ligjin, duhet t’i paraqitet Ministrisë së Financave për miratim paraprak. Autoriteti kontraktor duhet të argumentojë me shkrim arsyet e ndryshimit dhe të paraqesë dokumentacionin mbështetës.


Përveç kësaj, kërkohet një raport cilësor dhe sasior mbi rreziqet dhe ndikimin financiar që ndryshimi ose transferimi mund të ketë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.


Kjo do të thotë se ndryshimet kontraktore duhet të vlerësohen jo vetëm nga pikëpamja e marrëdhënies mes institucionit publik dhe operatorit privat, por edhe për efektet e tyre mbi buxhetin, deficitin dhe borxhin publik.


Kontratat do t’i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar përpara nënshkrimit


Pas përfundimit të negociatave me operatorin fitues, autoriteti kontraktor duhet t’i dërgojë Ministrisë së Financave kontratën, anekset dhe një raport shpjegues për vlerësim përfundimtar. Raporti duhet të evidentojë ndryshimet e mundshme nga projektkontrata e paraqitur fillimisht dhe përputhshmërinë e tyre me miratimet e dhëna.


Për projektet e institucioneve qendrore që kërkojnë mbështetje financiare dhe përfshijnë rreziqe fiskale, miratimi përkatës nga Këshilli i Ministrave bëhet përpara nënshkrimit të kontratës dhe pas vlerësimit përfundimtar të Ministrisë së Financave.


Studimet duhet të rivlerësohen nëse projekti vonohet mbi dy vjet


Vendimi vendos edhe një mekanizëm për të shmangur përdorimin e studimeve të fizibilitetit që mund të mos pasqyrojnë më kushtet ekonomike dhe financiare të projektit. Nëse brenda dy vjetëve nga miratimi i Ministrisë së Financave nuk është shpallur operatori fitues, autoriteti kontraktor duhet të paraqesë sërish studimin e fizibilitetit të rishikuar për miratim, përpara shpalljes së procedurës.


Rimiratimi kërkohet edhe kur studimi pëson ndryshime pas paraqitjes fillestare në Ministrinë e Financave.


Rregulla për konkurrencën dhe përzgjedhjen e operatorëve


Vendimi përcakton gjithashtu procedura për konkurrimin dhe përzgjedhjen e operatorëve privatë.

Në procedurat me negociata, autoritetet kontraktore duhet të garantojnë trajtim të barabartë të ofertuesve dhe të mos japin informacione që mund të favorizojnë pjesëmarrës të caktuar.


Objekti i koncesionit, kërkesat minimale dhe kriteret për dhënien e kontratës nuk mund të ndryshohen përmes negociatave.


Në rastet kur nuk paraqiten oferta të përshtatshme ose procedura nuk siguron konkurrencën e kërkuar, parashikohet anulimi i saj dhe analizimi i shkaqeve përpara nisjes së një procedure të re.


Për kontratat e partneritetit publik-privat zbatohen rregullat e prokurimit publik, për aq sa nuk bien ndesh me ligjin e posaçëm për koncesionet dhe PPP-të.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat